Ish-ministri shqiptar, Pandeli Majko, ka reaguar me shqetësim ndaj bllokadës politike në Kosovë dhe vështirësive për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Përmes një reagimi publik, Majko ka deklaruar se zgjedhja e presidentit po shndërrohet në një “lojë vetëvrasëse”, ndërsa situata politike po e dëmton edhe mekanizmin e fundit për zgjidhjen e krizës.
“Zgjedhja e presidentit të Republikës në Prishtinë po kthehet në një ‘lojë’ vetëvrasëse”, ka shkruar ai.
Sipas Majkos, as zgjedhjet e parakohshme nuk po shihen më si rrugëdalje e sigurt, pasi rezultatet zgjedhore po e ruajnë të njëjtën gjendje të mosmarrëveshjeve politike.
“Votuesit kanë ‘ngrirë’ rezultatet dhe krizën e mosmarrëveshjes. Në kutinë e votimit, Kosova po mbetet jetime”, ka deklaruar ish-ministri shqiptar.
Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situate mund të ketë pasoja serioze për funksionimin e shtetit.
“Kosova rrezikon seriozisht të hyjë në paradhomën e shteteve të dështuara”, ka theksuar Majko.
Sipas tij, shpresa e fundit qëndron te heqja dorë nga bindja se dështimi i kundërshtarit politik mund të shërbejë si zgjidhje.
“Errësira e vërtetë nuk është ajo që njohim, por bindja se drita nuk do të vijë”, ka përfunduar Majko.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


