Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër” (LKE), Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një njoftim për media pas konferencës së mbajtur të premten, platforma ka bërë të ditur se në këtë marsh janë ftuar për të mbajtur fjalime edhe liderët e katër partive parlamentare shqiptare.
Sipas njoftimit, ftesës i janë përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe ai i AAK-së, Ardian Gjini.
“Paraprakisht LKE i ka ftuar liderët e katër partive parlamentare shqiptare të marrin fjalën e tyre, për t’iu drejtuar pjesëmarrësve në Marsh, mirëpo ftesës i janë përgjigjur pozitivisht vetëm kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i AAK-së Ardian Gjini”, është thënë në njoftim.
Ndërkaq, përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, ka prezantuar programin dhe folësit që do t’i drejtohen pjesëmarrësve në Marsh.
Ajo ka bërë të ditur se fjalimet do të mbahen nga përfaqësues të platformës, shoqatave të dala nga lufta, familjeve të dëshmorëve, si dhe liderët politikë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, ka thënë Hoxha.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


