Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të Spitalit të Vushtrrisë, nën dyshimin se kanë kërkuar dhe pranuar para nga familjarët e pacientëve për ofrimin e shërbimeve mjekësore.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga Departamenti për Krime të Rënda dhe përfshin gjithsej 11 të pandehur.
Mjekët me inicialet V.R. dhe E.S. akuzohen për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa nëntë personat e tjerë, F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K., ngarkohen me veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, V.R. dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar para në gjashtë raste, ndërsa E.S. në tri raste.
Prokuroria pretendon se dy të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë dhe mjekëve në Spitalin e Vushtrrisë, kanë kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejt shuma të ndryshme parash për të ofruar trajtim mjekësor, ndonëse këto shërbime përbënin pjesë të detyrës së tyre zyrtare.
Ndërkaq, nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se, drejtpërdrejt ose tërthorazi, u kanë premtuar, ofruar apo dhënë para mjekëve të akuzuar si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Shumat që dyshohet se janë dhënë apo ofruar variojnë nga 50 deri në 300 euro.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar Gjykatës që, pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


