Friday, September 18, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Nëntë vjet në paraburgim, Kushtetuesja vendos për ankesën e Durim...

LEX | Nëntë vjet në paraburgim, Kushtetuesja vendos për ankesën e Durim Lushajt

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se mbajtja e Durim Lushajt në paraburgim për rreth nëntë vjet nuk përbën shkelje të të drejtave kushtetuese.

Lushaj, i cili dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndodhet në paraburgim që nga 26 gushti i vitit 2016.

Me Aktgjykimin e 3 shtatorit 2026, Kushtetuesja e shpalli të pranueshme kërkesën e tij, por konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i ndërlidhur me vendimet e gjykatave më të ulëta, nuk ka cenuar të drejtën e tij për liri dhe siguri, prezumimin e pafajësisë dhe ndalimin e trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.

Sipas historikut të çështjes, pas ngritjes së aktakuzës më 2017, Gjykata Themelore në Pejë e kishte shpallur fajtor Lushajn dhe i kishte shqiptuar dënim unik prej 25 vjetësh burgim.

Vendimi ishte anuluar fillimisht nga Gjykata e Apelit dhe çështja ishte kthyer në rigjykim. Pas rigjykimit, Themelorja e kishte shpallur sërish fajtor, ndërsa vendimi ishte vërtetuar nga Apeli.

Megjithatë, Gjykata Supreme i kishte anuluar vendimet e dy instancave dhe e kishte kthyer çështjen përsëri në rigjykim, ndër të tjera për shkak të mungesës së arsyetimit lidhur me gjendjen mendore të Lushajt në momentin e kryerjes së veprës së pretenduar.

Gjatë zhvillimit të procedurës, gjykatat e rregullta ia kishin vazhduar periodikisht paraburgimin.

Në korrik të vitit 2025, Gjykata Themelore e kishte arsyetuar vazhdimin e masës me ekzistimin e dyshimit të bazuar, rrezikun e arratisjes dhe të përsëritjes së veprës penale, si dhe me pamjaftueshmërinë e masave alternative.

Ky vendim ishte vërtetuar nga Apeli, ndërsa më 3 nëntor 2025 Gjykata Supreme kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Para Kushtetueses, Lushaj pretendoi se paraburgimi për rreth nëntë vjet kishte tejkaluar çdo afat të arsyeshëm. Sipas tij, gjykatat kishin përdorur arsyetime stereotipe dhe abstrakte, pa vlerësuar individualisht rrezikun dhe mundësinë e zëvendësimit të paraburgimit me masa të tjera.

Ai pretendoi gjithashtu se qëndrimi në izolim për më shumë se 22 orë në ditë, për gati një dekadë, i kishte shkaktuar pasoja të rënda fizike dhe psikologjike, duke përbërë trajtim çnjerëzor dhe degradues.

Kushtetuesja vlerësoi se gjykatat e rregullta kishin dhënë arsye konkrete dhe të individualizuara për vazhdimin e paraburgimit. Në këtë kontekst, ato kishin marrë parasysh raportet hetimore dhe të autopsisë, ekspertizat forenzike, pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat materiale të konfiskuara.

Sipas Aktgjykimit, ishte analizuar edhe rreziku i arratisjes dhe i përsëritjes së veprës penale, duke përfshirë marrëdhëniet e acaruara ndërmjet familjes së Lushajt dhe familjes së viktimave, si dhe sjelljen e tij gjatë seancave gjyqësore.

Gjykata theksoi se Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk përcaktojnë një afat maksimal absolut për paraburgimin. Megjithatë, vazhdimi i tij duhet të mbështetet vazhdimisht në arsye relevante dhe të mjaftueshme.

Në rastin konkret, Kushtetuesja mori parasysh peshën dhe kompleksitetin e akuzave, vëllimin e provave dhe faktin se çështja kishte kaluar nëpër disa faza të rigjykimit. Ajo vlerësoi gjithashtu se nga shkresat e lëndës nuk rezultonte se zvarritjet ishin shkaktuar nga pasiviteti ose neglizhenca e autoriteteve gjyqësore.

Lidhur me pretendimet për trajtim çnjerëzor, Gjykata konstatoi se Lushaj nuk kishte paraqitur prova relevante për kushte degraduese të paraburgimit ose mungesë të kujdesit të duhur mjekësor.

Sipas Kushtetueses, autoritetet ia kishin mundësuar ekzaminimet dhe transferimet në institucione shëndetësore kur ato ishin konsideruar të nevojshme.

Përfundimisht, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri se nuk ka pasur shkelje të së drejtës për liri dhe siguri, së drejtës për gjykim të drejtë dhe prezumimit të pafajësisë, si dhe ndalimit të torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose poshtërues.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT