Friday, September 18, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Avokati Hamdi Jashari dënohet me burgim për ushtrim ndikimi –...

LEX | Avokati Hamdi Jashari dënohet me burgim për ushtrim ndikimi – akuzohej se mori 8 mijë euro për të ndikuar te gjyqtarët

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor avokatin Hamdi Jashari për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim dhe një mijë euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, dënimi me burgim mund t’i zëvendësohet me gjobë nëse Jashari jep pëlqimin. Në këtë rast, dënimi zëvendësues është caktuar në shumën prej pesë mijë eurosh.

Nga kjo shumë do t’i llogariten 2 mijë e 340 euro për kohën që ai e ka kaluar në paraburgim. 

Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Jasharin se, në cilësinë e avokatit mbrojtës të Avni Ajrulit, kishte kërkuar dhe pranuar tetë mijë euro nga vëllai i tij.

Sipas aktakuzës, Jashari kishte pretenduar se paratë do t’ua dorëzonte gjyqtarëve të çështjes, me qëllim që të ndikonte në refuzimin e kërkesës për ekstradimin e Ajrulit në Maqedoninë e Veriut, ku ai ishte dënuar për vrasje.

Rasti dyshohet se kishte ndodhur ndërmjet 25 majit dhe 2 qershorit 2022, ndërsa Jashari ishte arrestuar në qershor të vitit 2023. Ai ishte mbajtur disa muaj në paraburgim, derisa Gjykata Supreme kishte vendosur që të mbrohej në liri. 

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. 

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT