Pagat e gjyqtarëve, mungesa e stafit, grumbullimi i mijëra lëndëve gjyqësore, dështimi i seancave dhe përdorimi i inteligjencës artificiale ishin ndër çështjet kryesore që u diskutuan sot në mbledhjen e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë kësaj mbledhjeje, drejtuesit e institucioneve gjyqësore ngritën një sërë shqetësimesh lidhur me funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke kërkuar ndërmarrjen e masave për përmirësimin e kushteve të punës, plotësimin e vendeve të lira për gjyqtarë dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve gjyqësore.
Pagat e gjyqtarëve, përvoja 40-vjeçare nuk po reflektohet në pagë
Një nga çështjet që nxiti diskutime ishte mënyra e llogaritjes së pagave të gjyqtarëve pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik në vitin 2023.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Burim Gashi, sqaroi se para hyrjes në fuqi të këtij ligji, paga bazë e një gjyqtari të gjykatës themelore ishte 1 mijë e 911 euro e 60 centë, ndërsa pas hyrjes në fuqi të ligjit, paga bazë u përcaktua në 1 mijë e 260 euro.
Ai shpjegoi se diferenca ndërmjet pagës së mëparshme dhe asaj të përcaktuar me koeficientin e ri është shndërruar në shtesë tranzitore.
Sipas tij, më 1 janar 2024, paga bazë e gjyqtarëve u rrit nga 1 mijë e 260 në 1 mijë e 320 euro, por kjo nuk përbënte rritje reale të pagës, pasi njëkohësisht ishte zvogëluar shtesa tranzitore.
Gashi deklaroi se e vetmja rritje reale kishte ndodhur në gusht të vitit 2024, kur ndryshimi i normës tatimore u kishte sjellë gjyqtarëve rreth 6 euro e 80 centë më shumë.
Ndërkohë, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, ngriti shqetësimin se përvoja e punës nuk po ndikon në pagat e gjyqtarëve.
Sipas tij, me mënyrën aktuale të llogaritjes, një gjyqtar me 40 vjet përvojë pune merr pagë të njëjtë me një gjyqtar që ka vetëm një vit përvojë.
Kryetari i Asamblesë, Fejzullah Rexhepi, deklaroi se Kosova ka pagat më të ulëta për gjyqtarë në rajon, duke pretenduar se në Shqipëri pagat e gjyqtarëve janë dyfish më të larta.
Pas diskutimeve, Asambleja rekomandoi njëzëri që KGJK-ja t’i drejtohet Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për të gjetur një zgjidhje jashtëgjyqësore lidhur me pagesën e përvojës së punës.
Rreth 14 mijë lëndë në Departamentin Civil të Apelit, mungesa e gjyqtarëve vështirëson punën
Një tjetër problematikë e ngritur gjatë mbledhjes ishte numri i madh i lëndëve gjyqësore dhe mungesa e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit.
Gjyqtarja Kadrije Goga-Lubishtani deklaroi se Departamenti për Çështje Administrative dhe ai për Kundërvajtje po përballen me vështirësi serioze për shkak të mungesës së gjyqtarëve.
Ajo tha se Departamenti për Çështje Administrative është në gjendje kolapsi, ndërsa numrin prej rreth 14 mijë lëndësh të pranuara në Departamentin Civil të Apelit e cilësoi enorm.
Për këtë çështje, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, bëri të ditur se pritet të plotësohen vendet e lira të punës në tri instancat e gjyqësorit, por vetëm pas një analize të hollësishme të nevojave.
Ai theksoi se angazhimi i më shumë praktikantëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë mund të ndikojë në përballimin e numrit të madh të lëndëve.
Gjatë diskutimeve për zbatimin e planeve strategjike të KGJK-së, u përmendën edhe vështirësitë me të cilat po përballen gjykatat e tjera.
Për Gjykatën e Gjakovës u ngrit shqetësimi për vonesat në pranimin fizik të lëndëve, të cilat, ndonëse regjistrohen në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), mund të mbërrijnë fizikisht në gjykatë me një muaj vonesë.
Po ashtu, u theksua mungesa e prokurorëve në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku Departamenti i Përgjithshëm ka vetëm pesë prokurorë, gjë që u vlerësua si pengesë për efikasitetin e gjykatës.
Në anën tjetër, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, deklaroi se gjykata që ai drejton dhe degët e saj kanë shënuar rezultate të mira në zbatimin e planeve strategjike dhe aktualisht po trajtojnë lëndë të vitit 2026 dhe disa të vitit 2025.
Dështimi i seancave gjyqësore, Tutuli drejton kritika ndaj Postës
Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për problemet me dorëzimin e shkresave gjyqësore, të cilat po ndikojnë në mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore.
Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, kritikoi mënyrën e dërgimit të shkresave përmes Postës, duke pretenduar se vonesat në dorëzimin e tyre janë shkaktar i një numri të madh të seancave të dështuara.
Tutuli deklaroi se 99 për qind e dështimeve të seancave janë për faj të Postës, duke kundërshtuar përdorimin e vetëm një operatori për dërgimin e shkresave gjyqësore.
Ai pretendoi se favorizimi i një operatori të vetëm është në kundërshtim me Ligjin për Konkurrencën.
Inteligjenca artificiale në gjyqësor, paralajmërohen probleme të pariparueshme
Një tjetër temë e diskutuar ishte përdorimi i inteligjencës artificiale nga gjyqtarët dhe nevoja për vendosjen e rregullave të qarta lidhur me përdorimin e saj në sistemin gjyqësor.
Kryetari i Asamblesë, Fejzullah Rexhepi, deklaroi se nuk është kundër përdorimit të inteligjencës artificiale, por paralajmëroi se informacionet dhe sugjerimet e gjeneruara nga ajo duhet të kontrollohen para përdorimit.
Sipas tij, pranimi i pakontrolluar i sugjerimeve të inteligjencës artificiale mund të shkaktojë probleme të pariparueshme.
Rexhepi ngriti shqetësime edhe për përdorimin jo të duhur të rrjeteve sociale nga gjyqtarët, si dhe për mosrespektimin e orarit të punës.
Ndërkohë, kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, deklaroi se së shpejti do të fillojnë përgatitjet për rishikimin e Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë.
Sipas tij, në tremujorin e parë të vitit 2027 pritet të përgatitet kodi i ri, i cili do të trajtojë edhe çështjet që lidhen me integritetin e gjyqtarëve.
Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, propozoi që KGJK-ja të nxjerrë një rregullore të veçantë për përdorimin e inteligjencës artificiale në gjyqësor.
Pas diskutimeve, Asambleja rekomandoi njëzëri rishikimin e Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë dhe hartimin e një udhëzuesi të veçantë për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Rexhepi kritikon përfaqësuesin e viktimave në Hagë për deklaratat rreth gjyqësorit të Kosovës
Gjatë mbledhjes, kryetari i Asamblesë, Fejzullah Rexhepi, reagoi edhe ndaj qëndrimeve të përfaqësuesit të viktimave në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Simon Laws, lidhur me sistemin gjyqësor të Kosovës.
Rexhepi e cilësoi shqetësuese paraqitjen e sistemit gjyqësor të Kosovës si tërësisht të korruptuar, duke deklaruar se pretendime të tilla nuk janë argumentuar.
Çështja lidhet me një parashtresë të nëntorit të vitit të kaluar, në të cilën Laws kishte kërkuar që çështja e dëmshpërblimit të viktimave të pretenduara në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të mos u delegohej gjykatave të Kosovës.
Në arsyetimin e tij, Laws kishte përmendur, ndër të tjera, mundësinë e ekzistimit të korrupsionit dhe ndërhyrjeve brenda sistemit ligjor të Kosovës, si dhe mungesën e strukturave efikase të llogaridhënies për gjyqësorin.
Rexhepi kundërshtoi këtë qëndrim, duke theksuar se raportet e organizatave ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile që kanë monitoruar gjyqësorin e Kosovës nuk kanë arritur në përfundime të tilla.
Ai deklaroi se sistemi gjyqësor duhet të vazhdojë punën për përmirësimin e tij, por njëkohësisht të reagojë ndaj asaj që e cilësoi si tendencë për njollosjen e punës së gjyqësorit.
Në përfundim të diskutimeve, Asambleja rekomandoi angazhimin e plotë të kryetarëve të gjykatave për zbatimin e planeve strategjike të KGJK-së, me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e lëndëve gjyqësore.
Pagat e gjyqtarëve, mungesa e stafit, grumbullimi i mijëra lëndëve gjyqësore dhe përdorimi i inteligjencës artificiale ishin ndër temat kryesore që u diskutuan sot në mbledhjen e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.
Gjatë mbledhjes u ngrit shqetësimi se përvoja e punës nuk po reflektohet në pagat e gjyqtarëve. Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, deklaroi se një gjyqtar me 40 vjet përvojë merr pagë të njëjtë me një gjyqtar që ka vetëm një vit përvojë.
Asambleja rekomandoi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i drejtohet Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për gjetjen e një zgjidhjeje jashtëgjyqësore për këtë çështje.
Një tjetër shqetësim ishte ngarkesa me lëndë në Gjykatën e Apelit, ku u përmendën rreth 14 mijë lëndë në Departamentin Civil, si dhe mungesa e gjyqtarëve në departamentet e tjera.
Gjatë diskutimeve u ngrit edhe problemi i dështimit të seancave gjyqësore për shkak të vonesave në dorëzimin e shkresave nga Posta.
Ndërkohë, Asambleja rekomandoi rishikimin e Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë dhe hartimin e një udhëzuesi të veçantë për përdorimin e inteligjencës artificiale në gjyqësor.
Kryetari i Asamblesë, Fejzullah Rexhepi, paralajmëroi se përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale mund të shkaktojë probleme të pariparueshme. Ai ngriti shqetësime edhe për përdorimin e rrjeteve sociale nga gjyqtarët dhe respektimin e orarit të punës.
Në këtë mbledhje, Rexhepi kritikoi edhe qëndrimin e përfaqësuesit të viktimave në Hagë, Simon Laws, lidhur me sistemin gjyqësor të Kosovës, duke e cilësuar shqetësues paraqitjen e tij si një sistem tërësisht të korruptuar.
Sipas Rexhepit, pretendime të tilla duhet të argumentohen dhe nuk duhet të njollosin punën e gjyqësorit të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


