Wednesday, September 23, 2026
spot_img
HomeLajmeRaportimi i Sinjalit për dhunimin e dy të miturave në Kaçanik, Prokuroria...

Raportimi i Sinjalit për dhunimin e dy të miturave në Kaçanik, Prokuroria kërkon paraburgim për dy burrat e dyshuar

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave, të dyshuar për veprën penale “Dhunimi” ndaj dy të miturave në fshatin Begracë të Kaçanikut.

Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë rast në mëngjesin e sotëm, pasi dy të miturat kishin denoncuar se ishin dhunuar nga dy persona të moshës madhore.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 shtator 2026, në fshatin Begracë të Komunës së Kaçanikut, saktësisht në një vend malor-park, të pandehurit B.G. dhe E.L. kanë keqpërdorur seksualisht dy të mitura, duke dyshuar se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227, paragrafi 7, lidhur me paragrafin 4, nënparagrafin 4.5, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Siç raportoi Sinjali më herët, rasti ishte raportuar më 21 shtator, kur të miturat ishin paraqitur së bashku me prindërit e tyre dhe kishin dhënë deklaratat lidhur me atë që dyshohet se u kishte ndodhur.

Për shkak të moshës së viktimave dhe ndjeshmërisë së rastit, Sinjali nuk publikoi të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tyre.

Sipas informacioneve të raportuara nga Sinjali, të miturat ishin intervistuar nga Prokurori i Shtetit në kuadër të Departamentit për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, pas së cilës ishte autorizuar inicimi i rastit për veprën penale “Dhunim”.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, viktimat ishin dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim gjinekologjik, mirëpo ato kishin refuzuar t’i nënshtroheshin ekzaminimit.

Ndërkohë, Prokuroria ka bërë të ditur se dy të pandehurit, B.G. dhe E.L., që nga 22 shtatori 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjenden nën masën e ndalimit për veprën penale për të cilën dyshohen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT