Monday, September 7, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Dosja e Prokurorisë: Fatmir Sheholli mori 5 mijë euro për...

LEX | Dosja e Prokurorisë: Fatmir Sheholli mori 5 mijë euro për një plan të BIA-s, akuzohet edhe për shantazh

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur pretendimet e aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit, të cilin e ngarkon me veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”, raporton Sinjali nga salla e gjykimit.

Sipas aktakuzës, nga një datë e pacaktuar, Sheholli, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë – BIA, dyshohet se përmes mesazheve dhe komunikimeve telefonike ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, dokumente dhe gjendjen e sigurisë në institucionet e Republikës së Kosovës.

Prokuroria pretendon se i pandehuri ka zbatuar edhe një plan konkret operativ të hartuar nga zyrtarë të BIA-s, i cili synonte dëmtimin e interesave publike të Kosovës dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në procesin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas dosjes, Sheholli, së bashku me një familjar të tij, kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut, ku nga një person ende i paidentifikuar dyshohet se kishte pranuar materiale dhe shumën prej 5 mijë eurosh si shpërblim për shërbimin.

Materialet, sipas pretendimeve të Prokurorisë, më pas ia kishte transferuar Milaim Zekës, me udhëzimin që ato të publikoheshin në emisionin “Pa Rrotlla” para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime janë cenuar seriozisht interesat shtetërore, diskrecioni i institucioneve dhe kohezioni shoqëror në Kosovë.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Sheholli akuzohet se gjatë periudhës 2022–2025, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka shantazhuar pronarin e një biznesi.

Sipas Prokurorisë, ai e kishte kërcënuar të dëmtuarin se, nëse nuk ia jepte paratë e kërkuara, do të publikonte materiale që do t’ia dëmtonin rëndë reputacionin. Në këtë mënyrë, pretendohet se është shkaktuar dëm në vlerë prej 13 mijë eurosh.

Prokuroria ka deklaruar se këto pretendime mbështeten edhe në provat e siguruara përmes masave të veçanta hetimore.

Fatmir Sheholli, gjatë deklarimit para Gjykatës, është shprehur plotësisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT