Në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special me gjyqtar Avni Syla Seanca gjyqësore për rastin “Pika”, e planifikuar të mbahej sot, ka dështuar, raporton Gazeta Sinjali.
Arsyet e mosmbajtjes së seancës ende nuk janë bërë të ditura.
Rasti lidhet me hetimet për korrupsion në pikat kufitare, që gjatë marsit dhe prillit të vitit 2022 çuan në arrestimin e 74 zyrtarëve policorë dhe dy doganierëve, në dy operacione të veçanta.
Siç kishte raportuar Sinjali, operacioni i parë, i koduar “Pika”, u zhvillua më 14 mars 2022 nga Inspektorati Policor i Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Ai përfshinte pikëkalimet kufitare Qafë Prushë dhe Qafë Morinë, ndërsa përfundoi me arrestimin e 48 policëve dhe dy zyrtarëve doganorë.
Dyshimet fillestare lidheshin me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe marrjen e ryshfetit. Zyrtarët dyshoheshin se kishin pranuar para për t’u mundësuar qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria kalime të parregullta kufitare.
Më 8 prill 2022 pasoi operacioni “Pika 2” në Vërmicë, ku u arrestuan edhe 26 policë të dyshuar për korrupsion.
Sipas njoftimit të IPK-së të cituar nga Sinjali, hetimet përfshinin masa të fshehta dhe bashkëpunim me SPAK-un dhe Agjencinë për Mbikëqyrje Policore të Shqipërisë. Në anën shqiptare u njoftua arrestimi i 17 punonjësve të policisë në Morinë.
Shifra prej 74 policësh i referohet totalit të arrestimeve në dy operacionet. Raportimi i mëhershëm i Sinjalit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


