Në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special me Gjyqtar Rrahman Beqiri sot ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, të cilët ngarkohen me vepra penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Shkak për dështimin e seancës u bë mungesa e dy avokatëve mbrojtës, Millosh Nikoliq dhe Bogdan Llaziq. Për mosparaqitjen e tyre, gjykata shqiptoi gjobë prej nga 500 euro.
Mungesa e mbrojtësit të tij shkaktoi reagimin e të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, i cili u shfaq i nervozuar në sallën e gjykimit.
Ende nuk dihet nëse mosparaqitja e dy avokatëve lidhet me situatën e tensionuar në vend apo me arsye të tjera. Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë informacion që do të konfirmonte një lidhje të tillë.
Aktakuza në këtë rast është ngritur ndaj Dushan Maksimoviqit, Millosh Radosavleviqit, Nemanja Joloviqit, Dushan Dobracit, Sërgjan Vuçiniqit dhe Nenad Orloviqit.
Prokuroria Speciale pretendon se të akuzuarit, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, vepruan në bashkëkryerje duke bllokuar rrugët kryesore në komunat veriore me kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
Sipas aktakuzës, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, ata penguan institucionet e Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare. Prokuroria pretendon se pjesëtarët e grupit ishin të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë në rast të ndërhyrjes për largimin e barrikadave.
Në aktakuzë pretendohet se grupi udhëhiqej nga Millan Radoiçiq dhe se ishin planifikuar strategjia e bllokimit, koordinimi, logjistika, monitorimi i Policisë së Kosovës dhe vendosja e personave në pika strategjike. Përmendet edhe hapja e gropave dhe pozicioneve të përshkruara si ushtarake në pjesë të ndryshme të veriut.
Hetimet ndaj Radoiçiqit dhe dhjetë personave të tjerë janë pezulluar, pasi ata konsiderohen të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ky proces ishte përballur me mungesa edhe më herët. Seanca e 20 korrikut kishte dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe njërit prej avokatëve. Gjykata kishte përsëritur urdhërarrestin ndaj Orloviqit, ndërsa Policia nuk e kishte gjetur në vendbanimin e tij.
Më 31 gusht, procedura ishte veçuar ndaj Millosh Radosavleviqit dhe Dushan Dobracit, pasi të dy kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


