Thursday, September 17, 2026
spot_img
HomeLajmeBurgimi i çlirimtarëve, Clark: SHBA-ja të punojë që Apeli ta marrë vendimin...

Burgimi i çlirimtarëve, Clark: SHBA-ja të punojë që Apeli ta marrë vendimin e duhur

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se nuk e kupton arsyeshmërinë e këtij aktgjykimi.

Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, ka deklaruar se dëshmia e tij dhe e personave të tjerë do të mund të ndikojë në rrëzimin e vendimit në procedurën e Apelit.

“Por e di që unë dhe shumë të tjerë kemi dhënë dëshmi që do të shpiejnë te rrëzimi i këtij vendimi”, tha ai në emisionin “Off the Record me Andrea Dangllin” në A2 CNN.

Gjenerali amerikan tha se nuk i di motivet që qëndrojnë pas aktgjykimit dhe as “çfarë ka ndodhur pas dyerve me gjykatësit”, duke e cilësuar vendimin të pakuptimtë.

“Sepse duhet parë edhe nga vetë Gjykata e Apelit, por nuk i di motivet dhe çfarë ka ndodhur veçanërisht pas dyerve me gjykatësit. Për mua nuk ka kuptim, por ndoshta është diçka që ata dinë që ne nuk e dimë”, tha ai.

Clark i ka cilësuar si qesharake akuzat mbi të cilat u dënuan ish-drejtuesit e UÇK-së, duke theksuar se, sipas tij, ato nuk janë mbështetur nga dëshmi të forta.

“E kam shumë të vështirë të kuptoj se si mundet një gjykatë e tillë ta dënojë një organizatë të tillë me akuza qesharake që janë bërë dhe që nuk u gjetën dëshmi të forta për to”, tha ai.

“Dhe në pikëpamjen time, pavarësisht se s’jam jurist, shpresojmë që të kemi një rezultat tjetër në Apel”, tha Clark.

I pyetur nëse beson se Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin pa rezerva procesin në rast se edhe Gjykata e Apelit konfirmon vendimin, Clark tha se SHBA-ja dhe vendet e tjera duhet të angazhohen që procesi i Apelit të çojë në një vendim tjetër.

“SHBA-ja dhe vendet e tjera duhet të punojnë për procesin e Apelit që Apeli të dalë me vendimin e duhur”, tha ai.

Clark e ka krahasuar situatën me një proces hipotetik ndaj një figure historike amerikane, duke thënë se edhe George Washington mund të përballej me një gjykatë të tillë.

“mund ta dërgonim edhe George Washingtonin në një gjykatë të tillë”.

“Nuk ka kuptim të ndëshkohen këta njerëz”, tha ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT