Katër nga 21 të akuzuarit për krime lufte në rastin e dëbimit të mbi 800 mijë shqiptarëve nga Kosova figurojnë të vdekur, por Prokuroria Speciale ende nuk ka dokumente zyrtare që e konfirmojnë këtë.
Prokurori Atdhe Dema e bëri të ditur këtë në seancën fillestare, pa identifikuar katër personat. Ai njoftoi se aktakuza ishte rezultat i tre vjetëve hetime.
Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, vlerësoi se janë bërë përpjekjet e nevojshme për sigurimin e pranisë së të akuzuarve dhe se gjykimi mund të zhvillohet në mungesë.
Nga mbrojtësit e caktuar sipas detyrës zyrtare, 20 u shprehën pro vazhdimit.
Seanca u shoqërua edhe me një gjobë prej 1 mijë eurosh ndaj avokates Albana Zogiani për vonesë. Sipas gjykatës, ajo mbërriti në orën 10:30, megjithëse ishte njoftuar për orën 09:30.
Aktakuza, e ngritur më 15 gusht 2025, i ngarkon të akuzuarit me krime lufte kundër popullatës civile. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës janar–qershor 1999, ata kishin autoritet dhe kontroll mbi forcat në zonat përkatëse të përgjegjësisë.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin dijeni për djegie shtëpish, shkatërrim të pronës civile, përndjekje mbi baza etnike dhe sulme ndaj vendbanimeve shqiptare, por nuk ndërmorën masat e nevojshme për t’i parandaluar apo për t’i raportuar këto veprime.
Sipas aktakuzës, veprimet rezultuan në dëbimin me forcë të 862 mijë e 979 civilëve shqiptarë drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme. Këto janë pretendime të Prokurorisë, për të cilat të akuzuarit po përballen me procesin gjyqësor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


