Sot pritet të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special, ndaj nëntë personave të arrestuar në operacionin “Dosja 23”, të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile.
Arrestimet u kryen gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të përbashkët të këtyre institucioneve, të arrestuarit janë Milan Gjuriq, Radisav Rashkoviq, Petar Utviq, Dragan Gjuriq, Vukadin Lepoviq, Jovica Mutavgjiq, Svetislav Gjukiq, Miroslav Radojeviq dhe Millosh Rashkoviq.
Gazeta Sinjali kishte raportuar më herët se operacioni lidhej me hetime për vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë. Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, hetimet ndërlidhen edhe me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”. Megjithatë, njoftimi zyrtar nuk ka dhënë hollësi për veprimet konkrete që i atribuohen secilit të dyshuar.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, municion, katër predha, rreth 23 mijë euro dhe rreth 60 mijë dinarë serbë, si dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë në hetim.
Kontrollet janë zhvilluar me autorizimin e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrave të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
LEX – Drejtësia nga Sinjali do t’ju sjellë zhvillimet nga gjykata.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


