Një person në Prizren dyshohet se ka paguar 56 mijë e 200 euro vetëm për kamata dhe kamatëvonesa, pa e përfshirë borxhin bazë, pasi kishte marrë para me kamatë mujore prej 20 për qind.
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, të cilët Sinjali i ka identifikuar si Visar Hasani dhe Drilon Elshani.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të pandehurit u arrestuan në flagrancë më 29 shtator 2026, gjatë dorëzimit të 15 mijë eurove në emër të kamatave.
Ata ishin takuar me të dëmtuarin në një lokal në fshatin Krushë e Madhe dhe më pas kishin hyrë në një automjet. Në momentin kur i dëmtuari ia dorëzoi paratë të pandehurit, ndërhynë zyrtarët policorë.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Hasani, gjatë periudhës nga viti 2025 deri më 29 shtator 2026, kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe personale të të dëmtuarit, duke i dhënë shuma të ndryshme parash me kamata të larta.
Përveç fajdesë, ai dyshohet se kishte ushtruar vazhdimisht presion dhe kanosje ndaj të dëmtuarit, duke i kërkuar pagesa për kamata dhe borxh. Sipas Prokurorisë, këto veprime i kishin shkaktuar të dëmtuarit frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim për jetën.
Ndërkaq, Elshani dyshohet se e kishte ndihmuar Hasanin duke pranuar në emër të tij pagesa të kamatave përmes një institucioni mikrofinanciar. Paratë, sipas dyshimeve, më pas ia kishte dorëzuar Hasanit.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e Hasanit, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë me dylbi, për të cilën, sipas Prokurorisë, ai nuk posedonte leje valide.
Hasani dyshohet për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ndërsa, sipas njoftimit të fundit të Prokurorisë, Elshani dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Fajdeja”.
Kërkesa për paraburgim i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prizren. Në njoftim nuk bëhet i ditur vendimi i gjykatës për këtë kërkesë.
Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


