Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, Yan Diomande, ka ndarë një rrëfim emocional përmes një letre publikuar në platformën The Players’ Tribune, ku i ka kushtuar një homazh të veçantë motrës së tij të ndjerë, Roxane.
Në këtë letër, Diomande rikujton fëmijërinë e tyre të thjeshtë, por të mbushur me dashuri familjare, duke theksuar se lumturia ishte gjithçka që njihnin atëherë. Ai përshkruan gjithashtu pasionin e hershëm për futbollin dhe ëndrrat që e shoqëronin që në fëmijëri.
“Ne nuk e dinim çfarë ishte pasuria apo varfëria. Ne njihnim vetëm lumturinë”, shkruan ai, duke kujtuar momentet kur luante futboll me pajisje të thjeshta dhe ëndërronte të bëhej profesionist.
Diomande tregon se motra e tij ishte mbështetja më e madhe në rrugëtimin e tij sportiv, duke e inkurajuar edhe në momentet më të vështira të karrierës, kur provonte të depërtonte në klube të ndryshme evropiane.
Në pjesën më të dhimbshme të rrëfimit, futbollisti kujton momentin kur mori lajmin tragjik për vdekjen e Roxane-s, e cila u nda nga jeta në moshë të re pas një ngjarjeje të rëndë gjatë një feste.
Pavarësisht dhimbjes, Diomande thotë se suksesi i tij në futboll mbetet i lidhur ngushtë me premtimin që i ka bërë motrës së ndjerë. Ai thekson se çdo arritje e tij në fushë është dedikuar asaj.
“Ti gjithmonë thoje se mund të bëhesha më i mirë se Cristiano. Do të bëj gjithçka për ta realizuar ëndrrën që kishe për mua”, shkruan ai në fund të letrës, duke mbyllur rrëfimin me një premtim emocional për ta nderuar kujtimin e saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


