Ushtria e Kuvajtit ka njoftuar se ka rrëzuar disa dronë iranianë, të cilët dyshohet se po tentonin të godisnin objekte ushtarake dhe infrastrukturore në vend gjatë mëngjesit të së premtes.
Përmes një reagimi në platformën “X”, një zëdhënës i ushtrisë kuvajtiane deklaroi se objektivat ajrore janë neutralizuar dhe shkatërruar para se të shkaktonin pasoja më të rënda.
“Agresioni iranian synoi disa objekte jetike dhe ushtarake. Objektivat armiqësore u neutralizuan dhe u shkatërruan, duke shkaktuar vetëm dëme materiale nga rënia e copëzave, pa viktima njerëzore”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, forcat iraniane kanë pretenduar se kanë goditur bazën ajrore “Ahmad al-Jaber” në Kuvajt. Mediat shtetërore iraniane kanë publikuar pamje që, sipas tyre, tregojnë lëshimin e predhave drejt territorit kuvajtian.
Ushtria iraniane ka deklaruar se sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj goditjeve amerikane në ishullin Qeshm. Sipas mediave shtetërore iraniane, gjatë atyre sulmeve janë vrarë një çift dhe fëmija i tyre në shtëpinë e tyre.
Irani ka shënjestruar edhe më herët objekte dhe infrastrukturë amerikane në bazat ushtarake të vendeve fqinje, duke i cilësuar sulmet si hakmarrje ndaj goditjeve amerikane në territorin iranian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


