Një ilaç i ri eksperimental për trajtimin e kancerit të pankreasit ka ngjallur optimizëm në komunitetin mjekësor, pasi rezultatet e një studimi të fundit tregojnë se ai mund të dyfishojë kohën e mbijetesës te pacientët me sëmundje të avancuar.
Duke komentuar zhvillimin e fundit, onkologu Ilir Kurtishi tha se zbulimet në fushën e onkologjisë janë të shpeshta dhe se ky rezultat përbën një arritje të rëndësishme.
“Zbulimet në onkologji janë të përhershme dhe të shpeshta. Kjo që e kemi parë këto ditë ka entuziazmuar edhe mjekët dhe të gjithë të pranishmit, pasi një dyfishim i jetëgjatësisë pas trajtimeve bazike me kimioterapi është një sukses i radhës, që i jep një shans më tepër që ta mbijetojë edhe për një kohë sëmundjen”, tha Kurtishi në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Ai shtoi se zhvillimi i barnave të reja mund të ndryshojë ndjeshëm perspektivën e trajtimit të kësaj sëmundjeje në vitet e ardhshme.
“Kjo tregon që me barnat e reja që do të avancojnë edhe vitet në vazhdim, kjo sëmundje të jetë nën kontroll”, u shpreh ai.
Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga format më agresive dhe më vdekjeprurëse të kancerit. /Klankosova.tv


