Friday, May 22, 2026
spot_img
HomeLajmeKurti “kap” edhe një institucion: Punësime familjare dhe dyshime për avancime (VIDEO)

Kurti “kap” edhe një institucion: Punësime familjare dhe dyshime për avancime (VIDEO)

Institucioni që ka për detyrë t’ia kontrollojë faturat, shpenzimet dhe performancën Qeverisë, muajve të fundit është parë në një seri takimesh për “thellim të bashkëpunimit institucional” pikërisht me ata që më pas i auditon. Edhe pse Zyra Kombëtare e Auditimit insiston se bëhet fjalë për komunikim normal institucional, takimet e Auditores së Përgjithshme me kryeministrin Albin Kurti dhe ministra të kabinetit kanë hapur debat mbi kufirin mes bashkëpunimit dhe ruajtjes së distancës së nevojshme profesionale.

Në muajt e fundit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar në web-faqen e saj një sërë takimesh të Auditores së Përgjithshme me përfaqësues të nivelit më të lartë të ekzekutivit, përfshirë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Në njërin prej njoftimeve zyrtare të publikuara nga vetë ZKA, institucioni kishte bërë të ditur se në takimin ndërmjet Auditores së Përgjithshme dhe kryeministrit ishte diskutuar për “thellimin e bashkëpunimit institucional në funksion të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik”. Sipas komunikatës, Auditorja e Përgjithshme kishte prezantuar para kryeministrit prioritetet e institucionit, rezultatet e arritura, sfidat me të cilat përballet ZKA, përfshirë nevojën për objekt publik dhe ndryshimet eventuale në Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm.

Megjithatë, vetë natyra e këtyre takimeve ngre dyshime mbi mënyrën se si duhet të ruhet pavarësia dhe distanca institucionale e një organi që auditon financat dhe performancën e institucioneve me të cilat zhvillon takime të nivelit të lartë.

Ligji Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit e përcakton Auditorin e Përgjithshëm si institucionin më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar në vend, duke i garantuar pavarësi funksionale, financiare dhe operative.

Në nenin 4, paragrafi 1, ligji përcakton se Auditori i Përgjithshëm është i pavarur dhe nuk i nënshtrohet urdhrit apo ndikimit nga asnjë person apo institucion tjetër, ndërsa paragrafi 3 i të njëjtit nen garanton liri të plotë në përcaktimin e auditimeve, prioriteteve dhe mënyrës së realizimit të tyre.

Po ashtu, neni 6 përcakton se ZKA ushtron funksionet e saj në mënyrë të pavarur dhe kontribuon në promovimin e standardeve të larta të transparencës dhe llogaridhënies në financat publike.

Megjithatë, ligji nuk ndalon në mënyrë eksplicite takimet ndërinstitucionale me subjektet që auditohen.

Pikërisht mbi këtë bazë, në përgjigjen për redaksinë, ZKA i është referuar nenit 20, paragrafi 6 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm, ku thuhet se Auditori i Përgjithshëm mund të konsultohet në çdo kohë me ndonjë institucion publik ose entitet për të koordinuar përgjegjësitë e auditimit.

Sipas ZKA-së, kjo dispozitë ligjore dhe standardet ndërkombëtare të auditimit i japin hapësirë institucionit për komunikim të rregullt me subjektet e audituara, sidomos në funksion të rritjes së zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Në përgjigjen për redaksinë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka hedhur poshtë çdo pretendim se takimet me kryeministrin dhe ministrat cenojnë pavarësinë institucionale.

Sipas ZKA-së, takimet kanë karakter zyrtar dhe nuk paraqesin ndërhyrje në procesin e auditimit.

“Takimet me zyrtarë të lartë shtetërorë kanë karakter zyrtar dhe janë pjesë e komunikimit ndërinstitucional, që synon përmirësimin e qeverisjes, rritjen e transparencës dhe adresimin e gjetjeve të auditimit, në përputhje me standardet profesionale ndërkombëtare”.

Institucioni shton se ligji nuk ndalon komunikimin me subjektet që auditohen dhe se nenet mbi pavarësinë nuk kufizojnë bashkëpunimin në vetvete, por ndalojnë çdo formë ndikimi në procesin e auditimit.

“Ligji nr. 05/L-055 nuk ndalon komunikimin dhe takimet institucionale me subjektet që janë objekt auditimi. Nenet 3, 4, 6 dhe 11 nuk kufizojnë bashkëpunimin në vetvete, por garantojnë pavarësinë e Auditorit të Përgjithshëm dhe ndalojnë çdo formë të ndikimit në procesin e auditimit”.

Po ashtu, ZKA ka bërë të ditur se takime të tilla janë pjesë e Planit Strategjik 2023–2026, ku parashihet bashkëpunim më i madh me organizatat buxhetore dhe aktivitete për rritjen e zbatimit të rekomandimeve.

Megjithatë, vetë baza ligjore të cilës i referohet ZKA lë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Neni 20, paragrafi 6 i ligjit flet specifikisht për konsultime “për të koordinuar përgjegjësitë e auditimit”, pra një formulim që në lexim të parë lidhet më shumë me koordinim teknik dhe institucional të procesit auditues.

Ndërkohë, në komunikatën zyrtare të ZKA-së për takimin me kryeministrin përdoret formulimi për “thellim të bashkëpunimit institucional”, një gjuhë më e gjerë sesa koordinimi i përgjegjësive të auditimit të parapara në ligj.

Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht cenim të pavarësisë apo shkelje ligjore, por ngre dyshime nëse një institucion që auditon Qeverinë duhet të ruajë një distancë më të madhe publike nga subjektet që më pas i vlerëson për menaxhimin e parasë publike.

Në të kaluarën, Auditori i Përgjithshëm nuk është takuar në këtë formë me njerëz të pushtetit për “thellim të bashkëpunimit institucional”.

Njohësi i çështjeve të qeverisjes dhe integritetit institucional, Ehat Miftaraj, nga Instituti Kosovar për Drejtësi, vlerëson se edhe perceptimi publik për pavarësinë është po aq i rëndësishëm sa aspekti formal juridik.

Sipas tij, takimet e shpeshta dhe komunikimi që del përtej aspektit strikt profesional mund të ndikojnë në perceptimin e paanshmërisë së institucioneve të pavarura.

Ndiqni në vijim kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:

 

Ndiqeni emisionin e plotë:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT