Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk është dashur ta braktisë seancën konstituive të Kuvendit, duke bërë thirrje që deputetët e kësaj partie të rikthehen të dielën në sallë.
Kurti ka thënë se synimi është që të përfundojë zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit dhe më pas të procedohet me formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
“Unë besoj që PDK-ja nuk është dashur ta braktisë procesin e konstituimit të Kuvendit. Shpresoj që të vijnë të dielën, në mënyrë që t’i sjellim edhe këta katër nënkryetarë të tjerë, dhe mandej të procedojmë me qeveri e zgjedhje të presidentit”, tha Kurti, para mediave.
Në këtë kontekst, Kurti ka bërë të ditur se ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, me qëllim të diskutimit për situatën e krijuar dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje.
Ai ka theksuar se mes dy subjekteve politike ekziston një ndërlidhje sa i përket votave për nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe procesit të zgjedhjes së presidentit.
“PDK-së për ta zgjidhur nënkryetarin nga radhët e saj i nevojiten votat e LVV-së, ndërsa LVV-së për ta zgjedhur presidentin i nevojitet mungesa e bojkotit apo vota kundër e PDK-së”, ka shtuar ai.
Sipas Kurtit, pikërisht kjo situatë krijon nevojën që subjektet politike të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për një zgjidhje të përbashkët.
“Kjo tregon që ka shumë arsye që të takohemi. Dua të takohemi, të bisedojmë dhe aty t’i diskutojmë emrat”, ka shtuar ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


