FIFA ka reaguar ashpër ndaj raportimeve të fundit që kanë vënë në qendër të vëmendjes presidentin e saj, Gianni Infantino, duke i cilësuar ato si pjesë të një “përpjekjeje të koordinuar dhe të vazhdueshme” për të dëmtuar si organizatën, ashtu edhe kreun e saj.
Reagimi i FIFA-s erdhi pas një raportimi të “Daily Telegraph”, sipas të cilit një grua, me të cilën Infantino dyshohet se kishte pasur lidhje gjatë kohës kur ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, kishte përfituar një pagesë largimi nga institucioni.
FIFA i ka mohuar fuqishëm këto pretendime, ndërsa një zëdhënës i saj ka deklaruar se Infantino i konsideron ato “kategorikisht të pavërteta”.
“Spekulimet dhe insinuatat nuk duhet të paraqiten si fakte”, thuhet në reagimin e FIFA-s, transmeton Klankosova.tv.
Por, përtej këtyre akuzave, presioni mbi presidentin e FIFA-s po rritet edhe për shkak të një tjetër përplasjeje që ka hapur një çarje të dukshme mes Infantinos dhe disa prej figurave më të rëndësishme të futbollit evropian.
Në qendër të debatit është projekti i dështuar FIFA Forward Enterprise (FFE), i cili parashikonte krijimin e një kompanie për menaxhimin e të drejtave komerciale dhe biletave të FIFA-s.
UEFA ka deklaruar se ka humbur besimin te Infantino, ndërsa presidentja e Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e tij.
Madje, UEFA ka paralajmëruar edhe mundësinë e bojkotimit të aktiviteteve të FIFA-s, duke e çuar përplasjen në një nivel të ri.
Por nëse Evropa po i kthen shpinën, Infantino nuk është i vetëm në skenën ndërkombëtare.
Federata Meksikane e Futbollit dhe CONMEBOL kanë shprehur mbështetje për të, ndërsa edhe CAF, së bashku me 54 federatat e saj anëtare, vazhdon ta mbështesë presidentin e FIFA-s.
Në fund, FIFA rikujton se Infantino është zgjedhur në mënyrë demokratike nga 211 federatat anëtare dhe se ai vazhdon të ushtrojë mandatin e tij.
Përplasja tashmë nuk duket më vetëm si një debat për një president. Ajo po shndërrohet në një betejë për drejtimin, ndikimin dhe të ardhmen e futbollit botëror – me Evropën në njërën anë dhe një pjesë të madhe të botës në anën tjetër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Kriza e Infantinos, FIFA mbron kreun e saj: Po përpiqen të na dëmtojnë appeared first on Sinjali.


