Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Kanun Veseli, zëdhënës i policisë për rajonin e Ferizajt, i cili bëri të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet e trafikut kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Më datën 09.08.2026, rreth orës 16:30, Policia ka pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime të rënda, i cili ka ndodhur në fshatin Muhovc të Ferizajt.Njësitë policore të stacionit policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Emergjenca e Ferizajt. Sipas informatave fillestare, në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona. Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet e trafikut kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e rastit. Për detaje të tjera lidhur me rastin, do të njoftojë përmes raportit vijues”, deklaroi Veseli për Klankosova.tv.


