Tuesday, September 15, 2026
spot_img
HomeLajme“Kosova pret drejtësi”, PDK para aktgjykimit në Hagë: Nesër presim të ketë...

“Kosova pret drejtësi”, PDK para aktgjykimit në Hagë: Nesër presim të ketë festë, në të kundërtën, nuk do të heshtim

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se kanë mbetur edhe rreth 18 orë deri në shpalljen e njërit prej aktgjykimeve më të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, duke shprehur besimin e partisë së tij në pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Në një konferencë për media, Gruda tha se PDK-ja, gjatë gjithë këtyre viteve, ka besuar se do të ketë drejtësi dhe se pret që vendimi të bazohet në prova, standarde të barabarta dhe të vërtetën historike të Kosovës.

“Kanë mbetur edhe rreth 18 orë deri në shpalljen e njërit prej aktgjykimeve më të rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët tanë. Si PDK, gjatë gjithë këtyre viteve kemi besuar se do të ketë drejtësi dhe nesër Kosova pret drejtësi”, tha Gruda.

Ai u shpreh se pret një vendim që sjell drejtësi dhe qetësi, duke respektuar realitetin historik që ka përjetuar populli i Kosovës.

“Presim një vendim të bazuar në prova, me standarde të barabarta dhe me të vërtetën. Presim një vendim që sjell drejtësi, qetësi dhe që respekton realitetin historik që ne si popull e kemi jetuar”, deklaroi ai.

Gruda theksoi se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, duke kujtuar dhunën, dëbimet, vrasjet dhe krimet e kryera gjatë luftës.

“Për dekada kemi përjetuar dhunën, dëbimet, vrasjet dhe krimet e kryera ndaj popullit tonë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, dihet kush ishte agresori e kush ishte viktima”, tha deputeti i PDK-së.

Ai shprehu shpresën se aktgjykimi do të sjellë festë dhe se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen në atdhe, duke përsëritur besimin e PDK-së në pafajësinë e tyre.

“Nesër presim të ketë festë, që drejtësia të triumfojë dhe çlirimtarët të kthehen në atdheun e tyre”, u shpreh Gruda.

“Besojmë fuqishëm në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit”, tha Gruda.

Deputeti i PDK-së paralajmëroi se partia e tij nuk do të heshtë në rast se, sipas tij, përballet me një vendim të padrejtë, duke theksuar se do ta kundërshtojë atë përmes mjeteve juridike dhe demokratike.

“Nëse përballemi me padrejtësi, nuk do të heshtim dhe nuk do të dorëzohemi para saj. Do ta kundërshtojmë me vendosmëri, me argumente, me të gjitha mjetet juridike dhe demokratike që kemi në dispozicion”, deklaroi ai.

Gruda tha gjithashtu se lufta e UÇK-së nuk mund të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të regjimit serb.

“Ne nuk mund të pranojmë që lufta e UÇK-së të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të agresorit, të regjimit serb”, tha ai.

Në fund, deputeti i PDK-së u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve politikë në Kosovë që të tregojnë maturi dhe kujdes, duke kërkuar që drejtësia të bazohet në prova dhe standarde evropiane.

“Partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve tanë u kërkojmë drejtësi të bazuar në prova, standarde evropiane dhe në të vërtetën historike të Kosovës”, tha Gruda.

Ai shtoi se PDK-ja i ka përcjellë me shqetësim disa reagime publike të ditëve të fundit, të cilat, sipas tij, kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët.

“Të gjithë akterët politikë duhet të tregojnë maturi dhe kujdes”, përfundoi Gruda.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT