Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar për një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, duke kritikuar ndikimin e politikës së re tarifore të Shteteve të Bashkuara në tregtinë globale.
“Përtej Atlantikut tani po fryn një erë ndryshe”, deklaroi Merz, duke iu referuar politikës së re tregtare të administratës amerikane.
Sipas kancelarit gjerman, vendosja e tarifave të reja nga SHBA-ja ka ndikuar ndjeshëm në tregti dhe në bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.
Merz tha se gjithnjë e më pak liderë botërorë besojnë në idenë se hapja ekonomike dhe tregtia e lirë sjellin përfitime për të gjitha palët.
“Në vend të kësaj, ata po mendojnë gjithnjë e më shumë në terma të lojërave me shumën zero, madje edhe të përfitimit në kurriz të të tjerëve dhe të shantazhit”, u shpreh ai.
Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në një kohë kur politikat tarifore të administratës amerikane kanë shtuar shqetësimet për të ardhmen e tregtisë globale dhe marrëdhënieve ekonomike mes fuqive të mëdha.
Merz ka mbrojtur vazhdimisht rëndësinë e tregtisë së hapur dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e konsideruar një ekonomi globale të ndërlidhur si burim të përfitimeve të përbashkëta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


