Friday, August 7, 2026
spot_img
HomeLajmeKosova ndër të fundit në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së,...

Kosova ndër të fundit në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, rrezikon humbjen e fondeve

Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet me progresin më të ngadalshëm në zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa vonesat mund t’i kushtojnë me humbjen e fondeve të dedikuara.

Sipas një materiali të publikuar nga WeBalkans, vetëm Bosnjë e Hercegovina renditet më dobët se Kosova në zbatimin e reformave. Deri më tani, Kosova ka përfituar 61.8 milionë euro, nga gjithsej 882.6 milionë euro të parapara në kuadër të këtij plani.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë të vetmet vende që ende nuk kanë raportuar zyrtarisht për zbatimin e reformave, ndryshe nga partnerët e tjerë të rajonit.

Nga Brukseli është bërë thirrje për përshpejtimin e reformave, duke paralajmëruar se nëse nuk përmbushen afatet e përcaktuara, vendet përfituese mund të humbin një pjesë të konsiderueshme të fondeve.

Sipas Komisionit Evropian, nëse reformat nuk realizohen sipas afateve, partnerët e Ballkanit Perëndimor – me përjashtim të Bosnjë e Hercegovinës – rrezikojnë të humbin mbi 333 milionë euro.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor kap vlerën prej 6 miliardë eurosh, me qëllim mbështetjen e reformave dhe afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT