Një auditim i performancës që ka trajtuar sigurinë e digave në Kosovë, investimet publike dhe sistemet e monitorimit, vazhdon të mos bëhet publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ndonëse vetë institucioni konfirmon se ai është përfunduar në nivel profesional.
Bëhet fjalë për auditimin “Mbrojtja dhe siguria e digave”, i planifikuar në kuadër të programit vjetor të auditimeve të ZKA-së, në periudhën kur projektet për monitorimin dhe investimet në diga menaxhoheshin nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kiks Kosova ka mësuar se auditimi në Kosovë është realizuar paralelisht me një auditim homolog në Shqipëri, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit në Shqipëri. Madje, në raportin e shtetit shqiptar, i publikuar në janar të vitit 2026, thuhet qartë se auditimi është kryer “në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës”.
Ndryshe nga Kosova, autoritetet shqiptare e kanë publikuar raportin pa e trajtuar si dokument të klasifikuar. Raporti përfshin çështje që lidhen me sigurinë e digave, monitorimin teknik, investimet publike, rehabilitimin dhe funksionimin e strukturave mbikëqyrëse.
Në Kosovë, megjithatë, ZKA ende nuk e ka publikuar raportin, duke u arsyetuar se dokumenti ndodhet në procedura të brendshme të kontrollit të cilësisë dhe në proces vlerësimi për të parë nëse përmban informacione që mund të trajtohen si të klasifikuara.
Në përgjigje për Kiks Kosovën, ZKA ka bërë të ditur se auditimi “është përfunduar në nivel profesional nga ekipi auditues”, por se raporti vazhdon të mbetet në fazë shqyrtimi institucional.
Ky arsyetim i ZKA-së është kundërshtuar më ashpër nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat thonë se një auditim që trajton investime publike dhe sigurinë e infrastrukturës kritike nuk do të duhej të mbahej jashtë publikut.
Lëvizja FOL dhe Instituti Kosovar për Drejtësi kanë ngritur dyshime mbi bazën ligjore të mos publikimit, duke theksuar se mbetet e paqartë si një auditim kryhet, përfundon në nivel profesional dhe vetëm në prag të publikimit lind dilema nëse përmban informacione të klasifikuara. Sipas tyre, fakti që raporti homolog në Shqipëri është publikuar pa kufizime shton edhe më shumë dyshimet dhe e bën të paqartë pse vetëm raporti në Kosovë po trajtohet ndryshe.
Në vijim ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:
Ndiqeni emisionin e plotë:


