Pas raportimit të Gazetës Sinjali për kontrollin e Doganës së Kosovës në një argjendari në Prizren, në redaksinë e Sinjalit ka kontaktuar Pjetër Gruda, i cili ka sqaruar se kontrolli ka përfunduar pa ndonjë problem.
Gruda ka deklaruar se biznesi është në rregull dhe se, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë dyshim të bazuar apo informacion paraprak që ka çuar në kontroll.
“Ka përfundu gjithçka në rregull. Nuk ka dyshime të bazuara, biznesi është në rregull”, ka deklaruar Gruda për Gazetën Sinjali.
Ai ka thënë se zyrtarët doganorë u kanë bërë të ditur se kontrolli është kryer në kuadër të një verifikimi, pa pasur ndonjë informacion konkret për shkelje.
“Për kontroll kanë ardhur rastësisht, thjesht ‘hajde ta shohim se a janë në rregull’. Jo që kanë pasë ndonjë informacion ose diçka. Kështu kanë deklaru zyrtarët: vetëm kemi dashtë të kontrollojmë se a është gjithçka në rregull”, ka thënë Gruda.
Ai ka theksuar se pas përfundimit të kontrollit, gjithçka ka rezultuar në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë problem me biznesin.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Doganën e Kosovës për të marrë një përgjigje zyrtare lidhur me kontrollin dhe arsyen e tij, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Sinjali do t’i publikojë edhe sqarimet e Doganës, nëse ato arrijnë në redaksi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


