Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish paraditen e së shtunës pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti refuzoi të propozojë emrin për kryeparlamentar duke kërkuar kohë për marrëveshje politike.
Ndërprerja e seancës konstituive zgjoi reagime të shumta në legjislativ e cila kulmoi me hedhjen e vezëve nga ana e deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Për ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës, raportuan edhe mediat ndërkombëtare.
Gazeta britanike, “Metro” ka raportuar me titullin: “Kaosi shpërthen në Parlamentin e Kosovës, deputetja hedh vezë drejt Kryeministrit”.
Në anën tjetër, “Sky News” lajmin për ngjarjet e sotme e titulloi: “Momenti kur deputetja e opozitës hedh vezë drejt kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”.
“Deputetja hodhi vezë drejt kryeministrit në detyrë Albin Kurti gjatë një seance parlamentare e cila u thirr për të konstituuar parlamentin e Kosovës pas zgjedhjeve të parakohshme”, shkruhet tutje në artikull.
Kurse Associated Press shkruan: “Deputetja e opozitës qëllon me vezë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”.
Raportimin e agjencisë së lajmeve AP, e kanë ritransmetuar edhe media të shumta ndërkombëtare. /Klankosova.tv


