Saturday, April 18, 2026
spot_img
HomeLajmeKombëtarja e Kosovës pret Bullgarinë sot në “Fadil Vokrri”, synohet fitorja e...

Kombëtarja e Kosovës pret Bullgarinë sot në “Fadil Vokrri”, synohet fitorja e radhës

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave do të përballet sërish me Bullgarinë, të shtunën nga ora 18:00, por kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit C2 të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Dardanet vijnë në këtë përballje pas fitores 3:1 në Sofje, duke konfirmuar formën e mirë në këtë cikël kualifikues. Kosova aktualisht kryeson grupin me nëntë pikë nga tri ndeshje, e ndjekur nga Kroacia me gjashtë pikë, ndërsa Bullgaria ka tri pikë dhe Gjibraltari mbetet pa pikë.

Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj synon një tjetër fitore, që do të përforconte pozitën e parë dhe do ta afronte edhe më shumë drejt objektivit. Në shtatë përballjet e deritashme ndaj Bullgarisë, Kosova ka regjistruar gjashtë fitore dhe një barazim.

Fitorja eventuale në këtë ndeshje do të përbënte një hap të madh drejt sigurimit të vendit të parë në grup, që garanton pjesëmarrjen në ‘play-off’ për kualifikim në Kampionatin Botëror, si dhe promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

Futbollistja Gentiana Fetaj theksoi se, pavarësisht fitores në ndeshjen e parë, skuadra synon përmirësim të mëtejshëm:

“Kemi bërë lojë të mirë në Bullgari, por duam që ende ta përmirësojmë performancën tonë dhe ta fitojmë ndeshjen e dytë kundër bullgareve. Nëse vazhdojmë kështu jemi afër të realizojmë objektivin për t’u promovuar në Ligën B”, u shpreh Fetaj.

Ndërkohë, Rrezona Ramadani vlerësoi rëndësinë e analizës së bërë pas ndeshjes në Sofje dhe besimin për një paraqitje më të mirë:

“Pozitive është trepikëshi që morëm në Sofje, pavarësisht lojës që nuk ishte ndoshta shumë e kënaqshme. Kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar atë ndeshje dhe për të parë gabimet tona dhe për t’i përmirësuar ato. Besoj se do të dalim me rezultat pozitiv dhe me një lojë më të mirë. Nëse fitojmë sërish ndaj Bullgarisë, do ta kemi më të lehtë në hapin final kundër Kroacisë për ta arritur objektivin tonë”, theksoi Ramadani.

Dardanet mbeten të fokusuara për të vazhduar serinë pozitive dhe për të hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt realizimit të synimeve në këtë cikël kualifikues.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT