Friday, May 22, 2026
spot_img
HomeLajmeKEDS: Asnjë njehsor s’është manipuluar e as ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme

KEDS: Asnjë njehsor s’është manipuluar e as ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme

Deklarimet e disa përfaqësuesve politikë për pretendime mbi manipulime me njehsorët e energjisë elektrike në Kosovë kanë nxitur reagim të ashpër nga kompania KEDS, e cila i ka cilësuar ato si të rënda dhe të pabazuara.

Në një komunikatë për media, KEDS ka theksuar se mungesa e fakteve të verifikuara dhe e një epilogu institucional rrezikon të dezinformojë opinionin publik.

Sipas kompanisë, çështja e njehsorëve dhe nevoja për investime shtesë në modernizimin e rrjetit energjetik janë tema që prej vitesh janë adresuar pranë institucioneve përgjegjëse.

KEDS thekson se ka adresuar vazhdimisht kërkesa dhe rekomandime pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe institucioneve qeveritare për rritjen e investimeve në infrastrukturën energjetike dhe sistemet matëse.

“KEDS garanton secilin qytetar se asnjë njehsor nuk është manipuluar, asnjë njehsor nuk është ndryshuar apo tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme dhe asnjë institucion kompetent nuk ka konstatuar apo provuar se ndonjë njehsor ka dëmtuar konsumatorët apo qytetarët”, thuhet në komunikatën e lëshuar më 21.05.2026.

Kompania shton se operon në një sektor plotësisht të rregulluar dhe monitorohet vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike. Gjithashtu, KEDS deklaron se u beson institucioneve të drejtësisë dhe mbështet çdo proces hetimor profesional, objektiv dhe të pavarur për sqarimin e pretendimeve të ngritura publikisht.

Në të njëjtën kohë, kompania u ka bërë thirrje akterëve politikë dhe publikë që të tregojnë përgjegjësi në deklarimet e tyre, veçanërisht gjatë periudhave elektorale, duke shmangur, siç thuhet, “akuzat shpifëse dhe pretendimet e pavërtetuara”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT