Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 21 të Rregullores (QRK) Nr.19/2024 për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të personelit në institucionet publike edukativo-arsimore dhe aftësuese të arsimit parauniversitar.
Kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së paditësit, Këshilli Drejtues i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmeti”, kundër të paditurave, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, lidhur me shfuqizimin e nenit 21 të Rregullores Nr.19/2024 për Procedurat e Përzgjedhjes dhe Emërimit të Drejtorëve dhe Zëvendësdrejtorëve, Mësimdhënësve, Bashkëpunëtorëve Profesionalë, Asistentëve, Instruktorëve dhe Sekretarëve në Institucionet Publike Edukativo-Arsimore dhe Aftësuese të Arsimit Parauniversitar.
Pas shqyrtimit gjyqësor publik, Supremja ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit, ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme vlerëson se “Qeveria ka pasur kompetencë kushtetuese dhe ligjore për nxjerrjen e rregullores, mirëpo neni 21 i saj nuk është në përputhje me nenin 35, paragrafi 4 të Ligjit Nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës”.
Sipas Gjykatës, “Ligji për Arsimin Parauniversitar, si ligj i veçantë (lex specialis), përcakton qartë se përzgjedhja e mësimdhënësve bëhet nga një komision i themeluar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, ku përfshihen edhe drejtori i institucionit arsimor dhe përfaqësuesit e Këshillit Drejtues”.
Ndërkaq, neni 21 i Rregullores Nr.19/2024 kishte ndryshuar këtë përbërje duke përjashtuar këta përfaqësues, gjë që sipas Gjykatës bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi dhe me parimin e hierarkisë së akteve juridike.
“Rregullorja në fjalë, respektivisht neni 21 i saj, rezulton se është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, pasi ndryshon përbërjen e organit vendimmarrës të përcaktuar me ligj, duke përjashtuar subjekte që ligji i konsideron pjesë përbërëse të domosdoshme të këtij procesi”, thuhet në komunikatë.
Gjykata Supreme ka theksuar se aktet nënligjore duhet të jenë në funksion të zbatimit të ligjit dhe nuk mund të ndryshojnë apo kufizojnë dispozitat e përcaktuara me ligj. /Klankosova.tv


