Tensione janë regjistruar këtë mëngjes në Nish, ku studentë dhe qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas N1, protestuesit u ndaluan nga një kordon policor rreth 300 metra larg Teatrit Kombëtar, ku po mbahej mbledhja e Bordit Kryesor të Partisë Përparimtare Serbe.
Pasi policia nuk i lejoi të kalonin, protestuesit provuan të arrinin te teatri përmes një rruge tjetër, por u përballën sërish me forca policore të pajisura për ndërhyrje. Disa prej tyre arritën ta anashkalonin kordonin, duke shkaktuar përplasje dhe vrapim drejt ndërtesës së teatrit, ndërsa në rrugë doli edhe Xhandarmëria.
Turma përdori bilbila dhe vuvuzela, duke brohoritur kundër Vuçiqit. Policia u kërkoi të pranishmëve të mos tentonin ta çanin kordonin, me arsyetimin se aty pranë po mbahej një tubim ku merrnin pjesë persona të mbrojtur.
Gjatë tensioneve, drejt zyrtarëve policorë u hodhën edhe disa vezë. Nuk është raportuar për persona të lënduar apo të arrestuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


