Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se, nëse Donald Trump do të ishte vrarë gjatë atentatit të vitit 2024, ai do të kishte dyshuar se pas ngjarjes qëndronte një komplot.
Duke folur në një podkast, Vance tha se do të kishte menduar se “forca shumë të errëta” e kishin eliminuar Trumpin pikërisht në kohën kur ai po përgatitej të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të kisha supozuar se forca shumë të errëta e kishin eliminuar Donald Trumpin, pikërisht kur ai ishte gati të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi Vance.
Sipas tij, vrasja e Trumpit mund ta kishte dëmtuar rëndë besimin në sistemin politik amerikan dhe të shkaktonte trazira civile. Ai shtoi se mund të mos e kishte pranuar legjitimitetin as të një presidenti tjetër republikan që do ta zëvendësonte Trumpin.
Trumpi i mbijetoi atentatit gjatë një tubimi elektoral në Butler të Pensilvanisë, në korrik të vitit 2024. Një plumb e preku në vesh, ndërsa një pjesëmarrës në tubim humbi jetën.
Sulmuesi, 20-vjeçari Thomas Crooks, kishte hapur zjarr nga çatia e një ndërtese pranë vendit ku po mbahej tubimi. Ai u vra nga forcat e sigurisë.
Vance theksoi se shumë mbështetës të Trumpit do të kishin besuar se një komplot ua kishte marrë kandidatin e tyre të zgjedhur dhe pranoi se edhe ai do t’i kishte pasur këto dyshime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


