Thursday, September 17, 2026
spot_img
HomeLajmeKapja e “Bluefin Tuna” në Shëngjin, emisioni “Krejt KAPAK” sjell një aventurë...

Kapja e “Bluefin Tuna” në Shëngjin, emisioni “Krejt KAPAK” sjell një aventurë të paparë (VIDEO)

Në ujërat e Adriatikut, këtë herë përballë Shëngjinit, aty ku deti duket i qetë në sipërfaqe, fshihet një nga krijesat më të fuqishme të botës ujore: tuna e kaltër, e njohur si Bluefin Tuna.

Udhërrëfyes i kësaj aventure është Florjan Gjoni nga Shëngjini, i cili ka vite përvojë në det.

“Që nga mosha 10-vjeçare jam në det”, tregon Flori.

Bluefin Tuna është një grabitqar i lindur për shpejtësi marramendëse, duke përshkuar distanca të gjata në Mesdhe në kërkim të sardeleve.

“Shpejtësia e saj arrin deri në 65 kilometra në orë”, shprehet Florjan Gjoni, guidë peshkimi.

Trupi i saj është një makineri perfekte, e ndërtuar për ndjekje dhe mbijetesë. Tuna e kaltër është ndër peshqit më të vështirë për t’u kapur. Ajo lufton për orë të tëra, duke sfiduar çdo peshkatar që guxon ta ndjekë. Një e tillë mund të shitet edhe me miliona euro, prandaj njihet si “ari i detit”.

“Kam luftuar 1 orë e 36 minuta për ta nxjerrë”, tregon Florjan Gjoni.

Kjo krijesë gjigante mund të peshojë deri në 600 kilogramë, sa një dem i madh, ndërsa jetëgjatësia e saj arrin deri në 40 vite.

“Rekordi im është një ton prej 46 kilogramësh, i kapur në vitin 2023”, shton ai.

Bluefin Tuna është një specie migratore që përshkon mijëra kilometra pa u ndalur, duke kaluar nga një det në tjetrin. Një nga veçoritë më të rralla të saj është aftësia për të rregulluar temperaturën e trupit, një tipar që zakonisht gjendet tek gjitarët, duke e bërë atë një makineri perfekte për mbijetesë.

Në tregjet ndërkombëtare, kjo specie është ndër më të shtrenjtat në botë. Një individ i vetëm është shitur për mbi 3 milionë dollarë, duke fituar nofkën “ari i detit”.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT