Tuesday, June 16, 2026
spot_img
HomeLajmeKapiteni Idriz Atashi shpallet “Nderi i Qytetit” të Pejës për kontributin mbi...

Kapiteni Idriz Atashi shpallet “Nderi i Qytetit” të Pejës për kontributin mbi 25-vjeçar në shërbim të qytetarëve

Kuvendi Komunal i Pejës ka nderuar sot me titullin më të lartë komunal, “Nderi i Qytetit”, Kapitenin e Policisë së Kosovës, Idriz Atashi, duke vlerësuar kontributin e tij të gjatë dhe të pandërprerë në fushën e sigurisë publike dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Kuvendit Komunal, ndërsa në motivacionin e tij theksohet se Atashi, si profesionist me mbi 25 vite përvojë në sigurinë publike, është dalluar për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të lartë në ushtrimin e detyrës.

“Gjatë gjithë karrierës, ai ka treguar qasje humane dhe përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në forcimin e rendit, sigurisë dhe besimit në institucione”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Pejës.

Titulli “Nderi i Qytetit” konsiderohet një nga vlerësimet më të larta që Komuna e Pejës u ndan personaliteteve që, përmes punës dhe përkushtimit të tyre, kanë lënë gjurmë të veçanta në jetën publike dhe në shërbim të komunitetit.

Me këtë vlerësim, Peja i shpreh mirënjohjen një zyrtari që për më shumë se dy dekada e gjysmë ka qenë në vijën e parë të garantimit të sigurisë dhe rendit publik, duke e shndërruar detyrën në mision në shërbim të qytetarëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT