Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Ukraina duhet të ketë fjalën vendimtare për përfaqësimin e saj në negociatat e paqes dhe për palët që e mbështesin në këtë proces.
“Ukraina është vendi i prekur dhe në fund të fundit ajo vendos se kush qëndron në anën e saj dhe kush zhvillon negociata”, tha Merz.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian nuk është palë neutrale në konflikt, por një mbështetës i qartë i Ukrainës.
“BE-ja nuk është një palë e tretë neutrale dhe nuk është ndërmjetës; ajo është në anën e Ukrainës. Prandaj, Ukraina vendos gjithashtu se kush negocion për të dhe me të”, u shpreh ai.
Duke folur për perspektivën evropiane të Ukrainës, Merz tha se një shtet që ndodhet në luftë nuk mund të bëhet menjëherë anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.
“Shteti i Ukrainës, ndërsa është në luftë, nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Megjithatë, mund të bëhet anëtar i asociuar dhe më vonë anëtar i plotë i BE-së”, deklaroi ai.
Ndryshe, Ukraina ka nisur tashmë negociatat për anëtarësim në BE, duke hapur kapitullin e parë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


