Rebelët Houthi raportohet se kanë marrë kontrollin e Mokha-s, pranë ngushticës strategjike Bab el-Mandeb, duke zgjeruar ndikimin e tyre mbi një prej rrugëve më të rëndësishme detare në rajon.
Sipas raportimeve, Houthi kanë pushtuar gjithashtu ishullin Zuqar. Forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite, pavarësisht përpjekjeve për t’i ndalur, nuk kanë arritur të frenojnë avancimin e tyre. Në shënjestër të sulmeve kanë qenë edhe objektet saudite të naftës.
Ekspertët e cituar nga BBC vlerësojnë se zhvillimet e fundit po nxjerrin në pah dobësitë e forcave saudite, ndërsa Houthi, aleatë të Iranit, kanë rritur kapacitetet dhe ndikimin e tyre në rajon.
Për Iranin, forcimi i Houthi-ve mund të nënkuptojë ndikim më të madh si në Detin e Kuq, ashtu edhe në Ngushticën e Hormuzit, dy prej korridoreve më të rëndësishme strategjike për transportin detar dhe energjinë.
Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se Irani po vazhdon përpjekjet për forcimin e kapaciteteve të tij ushtarake, përfshirë prodhimin e raketave në objekte nëntokësore. Sipas disa burimeve, Teherani mund të ketë marrë edhe ndihmë teknike nga Rusia dhe Kina.
Në administratën amerikane, sipas këtyre raportimeve, ekziston shqetësimi se përplasja me Iranin mund të jetë një konflikt afatgjatë dhe të zgjasë deri në dy vjet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


