Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen, ndërsa Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet fuqishëm çdo sulmi të ri amerikan ndaj interesave të tij. Në të njëjtën kohë, Libani po kërkon ndërhyrje ndërkombëtare për ndalimin e sulmeve izraelite, ndërsa luftimet në Jemen kanë shkaktuar më shumë se 140 viktima.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretendon se ka goditur me raketa balistike një aeroplanmbajtëse dhe një destrojer amerikan. Sipas forcave iraniane, anijet janë dëmtuar dhe janë larguar nga zona e përplasjes.
Teherani pretendon se anijet amerikane po pengonin lëvizjen e mjeteve iraniane dhe po merrnin pjesë në një bllokadë detare.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se forcat amerikane kanë sulmuar tri cisterna iraniane, përfshirë njërën pranë ishullit Kharg, një pikë strategjike për eksportet iraniane të naftës.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj interesave të Iranit do të marrë një “përgjigje të fortë dhe të shpejtë”. Ai konfirmoi gjithashtu se forcat iraniane kishin sulmuar baza amerikane.
Edhe shefi i Shtabit të Ushtrisë iraniane, Ali Abdullahi, e përjashtoi mundësinë e dorëzimit të Teheranit përballë presionit amerikan, duke e cilësuar atë si “një ëndërr të kotë që nuk do të bëhet kurrë realitet”.
Në Liban, presidenti Joseph Aoun u ka bërë thirrje SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjnë për ndalimin e sulmeve izraelite. Thirrja pasoi sulmet që lanë të paktën katër të vrarë, pavarësisht armëpushimit në fuqi.
Sipas Aounit, nga sulmet janë dëmtuar ndërtesa qeveritare dhe është shkatërruar një spital jashtë funksionit. Ai e cilësoi situatën si një përshkallëzim të rrezikshëm.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar çmontimin e disa vendbanimeve hebraike të konsideruara të paligjshme në Bregun Perëndimor. Vendimi vjen mes presionit amerikan lidhur me dhunën e kolonëve ndaj palestinezëve.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i ka cilësuar kolonët e dhunshëm si terroristë dhe ka kërkuar marrjen e masave të ashpra ndaj tyre.
Përleshje të ashpra po zhvillohen edhe në Jemen ndërmjet forcave proqeveritare dhe Huthëve të mbështetur nga Irani. Sipas burimeve nga të dyja palët, luftimet në pjesën jugperëndimore të vendit kanë shkaktuar më shumë se 140 viktima.
Rifillimi i luftimeve e ka përfshirë edhe më thellë Jemenin në konfliktin rajonal, duke shtuar frikën për zgjerimin e mëtejshëm të tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


