Një sulm me raketë balistike iraniane ndaj një baze ushtarake amerikane në Kuvajt ka shkaktuar plagosjen e disa ushtarëve amerikanë, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas Bloomberg, raketa Fateh-110 ka goditur Bazën Ajrore “Ali Al Salem” brenda 24 orëve të fundit. Megjithëse mbrojtja ajrore e Kuvajtit ka arritur ta neutralizojë sulmin, mbeturinat e raketës kanë rënë brenda territorit të bazës.
Si pasojë e incidentit, të paktën pesë persona, përfshirë ushtarë amerikanë dhe kontraktorë, kanë pësuar lëndime të lehta.
Sulmi ndodhi në një kohë kur Shtëpia e Bardhë po shqyrtonte mundësinë e zgjatjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Raportohet se një takim në Dhomën e Situatave në Uashington ka përfunduar pa njoftime zyrtare, pavarësisht deklarimeve të mëhershme të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e një “vendimi përfundimtar” mbi një marrëveshje të re.
Ngjarja vjen disa ditë pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) kishte deklaruar se kishte shënjestruar një bazë amerikane në rajon, në përgjigje të sulmeve të mëparshme amerikane ndaj objektivave në Iranin jugor.
Autoritetet e Kuvajtit konfirmuan se kanë ndërprerë një “kërcënim armiqësor me raketa dhe dronë”, por nuk kanë specifikuar objektivin e sulmit.
Sipas burimeve amerikane, forcat e SHBA-së kanë rrëzuar edhe disa dronë iranianë pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërsa kanë goditur një bazë ushtarake në Bandar Abbas, në jug të Iranit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) e ka cilësuar sulmin ndaj Kuvajtit si një “shkelje të rëndë të armëpushimit”, ndërsa ka theksuar se veprimet amerikane kanë qenë mbrojtëse dhe të kufizuara.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqai, ka dënuar sulmet amerikane, duke i quajtur shkelje të armëpushimit dhe duke paralajmëruar se Irani do të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin e tij”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


