Barcelona po përgatitet të bëjë një lëvizje të madhe në merkato, pasi klubi katalanas ka kthyer vëmendjen te sulmuesi suedez i Arsenalit, Viktor Gyokeres.
Sipas gazetarit Jose Alvarez nga “El Chiringuito”, Barcelona pritet të nisë së shpejti kontaktet për të mësuar kushtet e mundshme të transferimit të 28-vjeçarit.
Gyokeres shihet si një nga alternativat kryesore për përforcimin e repartit ofensiv, në një kohë kur katalanasit po punojnë për ristrukturimin e skuadrës dhe kërkojnë një numër 9 të nivelit të lartë.
Largimi i Ferran Torres drejt Paris Saint-Germain pritet t’i krijojë Barcelonës hapësirë të re në skuadër dhe në masën e pagave, duke e bërë më të lehtë një operacion të mundshëm për sulmuesin suedez.
Megjithatë, përpara se të paraqesë një ofertë zyrtare, Barcelona pritet të analizojë me kujdes koston financiare të transferimit. Hapi i parë do të jetë kontakti me rrethin e Gyokeres për të kuptuar kërkesat e tij financiare dhe kushtet e mundshme të marrëveshjes.
Gyokeres ka qenë ndër sulmuesit më të kërkuar në futbollin evropian, veçanërisht pas paraqitjeve të tij në Portugali. Megjithatë, sezoni i kaluar me Arsenalin nuk ishte në të njëjtin nivel, me suedezin që regjistroi 21 gola dhe tri asistime në 55 paraqitje.
Në ditët në vijim pritet të qartësohet nëse interesimi i Barcelonës do të kalojë në hapa konkretë dhe nëse klubi katalanas do të nisë negociatat me Arsenalin për transferimin e sulmuesit suedez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


