Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj 41-vjeçarit që dyshohet se shtiu me armë në drejtim të tre punëtorëve të KRU “Mitrovica” dhe më pas i kërcënoi me vrasje, rast për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar më herët.
Sinjali kishte mësuar se i dyshuari është Fitim Shabani, 41 vjeç, i cili pas më shumë se dy javësh në kërkim ishte vetëdorëzuar në Polici më 15 gusht.
Prokuroria njoftoi se ndaj të pandehurit me inicialet F.Sh. ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, për caktimin e paraburgimit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Kanosja”.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, pasi tre punëtorë të KRU “Mitrovica” kishin shkyçur furnizimin me ujë në pronën e tij, i dyshuari i kishte kanosur dhe kishte shkrepur me armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të kompanisë.
Siç kishte raportuar Sinjali, tre punëtorët – Sali Hetemi, Fatlum Bajrami dhe Faik Shabani – kishin shkuar në lokacion për ta shkyçur të dyshuarin nga rrjeti i ujësjellësit.
Sipas deklarimeve të tyre, Shabani dyshohet se kishte nxjerrë një armë të shkurtër, ua kishte drejtuar dhe, nën kërcënim, kishte kërkuar që t’ia rilidhnin ujin.
Pas refuzimit të tyre, ai dyshohet se kishte shtënë në drejtim të automjetit ku ndodheshin punëtorët.
Prokuroria thotë se i pandehuri dyshohet se më pas i kishte kërcënuar të tre se do t’i vriste nëse rastin do ta raportonin në Polici.
Pas incidentit, Shabani ishte shpallur në kërkim, ndërsa njësitet policore, përfshirë NJRSH-në, ishin angazhuar në kërkimin e tij.
Më 15 gusht ai u vetëdorëzua në Polici. Pas kësaj, gjatë një bastisjeje tjetër në pronën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi armën me gaz që dyshohet se është përdorur në incident, një gëzhojë dhe tre fishekë me gaz.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari ndodhet në ndalim, ndërsa tani Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


