Një influencuese udhëtimesh nga Skocia është zhdukur në Marok, duke ngritur shqetësime serioze për fatin e saj dhe duke vënë në lëvizje autoritetet britanike.
Rachel Kerr, 31 vjeç, nuk ka kontaktuar me familjen që prej së shtunës, pasi u largua nga hoteli ku po qëndronte në qytetin bregdetar të Agadir. Sipas familjarëve, telefoni i saj rezulton i fikur dhe nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saj aktuale.
Familja e saj ka bërë një apel urgjent për ndihmë, duke kërkuar çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e saj. Në një postim në rrjetet sociale, kushërira e saj, Claire Hill, është shprehur: “Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e saj dhe po kërkojmë çdo informacion mbi vendndodhjen apo personat me të cilët mund të ketë qenë në kontakt.”
Rachel Kerr, e cila numëron mbi 9 mijë ndjekës në Instagram dhe rreth 6 mijë në Facebook, njihej për publikimin e përmbajtjeve nga udhëtimet e saj. Ajo ndodhej në Marok në kuadër të një udhëtimi pune.
Sipas të dhënave, ajo ishte akomoduar në hotelin Caribbean Village Agador, nga ku u largua para se të humbiste kontaktet. Postimi i saj i fundit në rrjetet sociale daton më 13 prill, ku ajo shfaqej në një foto me mbishkrimin “la marinaaaa”.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme britanike, përmes Foreign, Commonwealth and Development Office, ka konfirmuar se është duke mbështetur familjen e saj në këtë situatë.
Rasti mbetet në zhvillim, ndërsa familjarët dhe autoritetet u bëjnë thirrje kujtdo që mund të ketë informacion të kontaktojë menjëherë autoritetet përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


