Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar ashpër pas deklaratave të nënkryetares së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila arsyetoi mospërfshirjen e tij në Kryesinë e re të partisë me “probleme shëndetësore”.
Ahmeti ka sqaruar se largimi i tij nga strukturat udhëheqëse ishte një vendim personal dhe jo pasojë e gjendjes shëndetësore.
Ai e cilësoi deklaratën e nënkryetares si jo korrekte dhe shqetësuese për familjen dhe përkrahësit e tij.
“Qenka një deklaratë e Doarsës se kinse për shëndetin tim nuk jam në Kryesinë e re. Për të qenë korrekt me qytetarët, unë kam pasur kontakt me kryetarin Lumir Abdixhiku dhe jam tërhequr personalisht. Nuk kam dashur ta vazhdoj detyrën”, deklaroi Ahmeti në një ndërhyrje direkte në emisionin “Debat Plus”.
Kreu i Lipjanit shpjegoi se qëndrimi i tij lidhet me parimin e mos-shumëfishimit të pozitave për individë të caktuar brenda partisë, qëndrim të cilin thotë se e ka shprehur edhe në Kuvendin e partisë.
“Kam kërkuar që të mos shumëfishohen pozitat te individët e caktuar dhe kam mbetur pranë qëndrimeve të mia. Prandaj, nuk është çështje shëndetësore. Nuk është humane të deklarohesh kështu, as nuk besoj se do të duhej të shpërndahej ky lloj informacioni në terren, i cili natyrisht shqetëson familjarët, qytetarët e Lipjanit dhe kolegët e mi”, u shpreh ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


