Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeI lindur e rritur në Austri, zgjodhi Kosovën – Demaku: Mbaj emrin...

I lindur e rritur në Austri, zgjodhi Kosovën – Demaku: Mbaj emrin e gjyshit dëshmor, gjë e madhe të luaj për Kombëtaren

Vesel Demaku, i lindur dhe i rritur në Austri, ka rrëfyer për herë të parë në detaje arsyen pse vendosi ta përfaqësojë Kosovën në futboll, pavarësisht se kishte mundësinë të luante për Austrinë.

Në një intervistë për mediumin austriak “Der Standard”, mesfushori ka treguar se vendimi për të veshur fanellën e Kosovës u ndikua nga historia e familjes së tij dhe lidhja me vendin e prejardhjes.

Një rol të veçantë në këtë histori ka pasur gjyshi i tij, Veseli, emrin e të cilit e mban. Ai kishte humbur jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës.

Demaku ka thënë se mundësia për të luajtur për Kosovën rreth 25 vjet pas vdekjes së gjyshit të tij ka një domethënie të madhe për të dhe familjen.

“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar ai.

Futbollisti ka treguar se me rritjen e tij filloi ta kuptonte më shumë historinë e Kosovës dhe të interesohej për historinë e politikën. Kjo, sipas tij, e bëri vendimin për Kosovën gjithnjë e më të qartë.

“Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë – atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100%”, ka rrëfyer Demaku.

Megjithatë, ai ka theksuar se vendimi nuk nënkupton se ka ndonjë pakënaqësi ndaj Austrisë, ku është lindur dhe rritur.

“E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, është shprehur ai.

Zgjedhja e Kosovës, megjithatë, solli edhe reagime negative në Austri. Demaku ka thënë se ishte i përgatitur për një reagim të tillë, por pranon se disa prej tyre e kanë lënduar.

“Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka thënë ai.

Për Demakun, përfaqësimi i Kosovës nuk lidhet vetëm me futbollin. Ai ka treguar se që nga paraqitjet e para me përfaqësuesen e ka ndier edhe më fuqishëm këtë lidhje.

“Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka deklaruar mesfushori, duke folur për rëndësinë që ka për të fanella e Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT