Talenti i Bayern Munichut, Erblin Osmani, ka shkruar historinë me Kombëtaren e Kosovës, duke u bërë futbollisti më i ri që ka debutuar ndonjëherë me përfaqësuesen A të Kosovës.
17-vjeçari u aktivizua në minutën e 87-të të fitores 1-0 ndaj Irlandës, duke regjistruar paraqitjen e parë me fanellën e Kosovës.
Debutimi i Osmanit ka marrë jehonë edhe në mediat gjermane. Mediumi i njohur SPORT1 i ka kushtuar një artikull të veçantë paraqitjes së talentit kosovar, duke e vënë në pah rekordin e tij historik.
“Osmani është bërë futbollisti më i ri që ka luajtur ndonjëherë për Kombëtaren A të Kosovës”, shkruan SPORT1.
Osmani, i cili luan në pozitën e mesfushorit, priti deri në fund të ndeshjes për momentin e tij, para se përzgjedhësi Franco Foda ta thërriste për t’i dhënë udhëzimet e fundit para hyrjes në fushë.
Me moshën 17 vjeç, katër muaj e pesë ditë, Osmani vendosi rekordin si debutuesi më i ri në historinë e Kosovës.
Pas ndeshjes, talenti i Bayern Munichut e përshkroi debutimin si një ëndërr të realizuar, duke theksuar se gjithmonë kishte dëshiruar të luante për Kosovën.
SPORT1 rikujton gjithashtu se Osmani kishte mundësi të luante edhe për Gjermaninë, pasi kishte përfaqësuar këtë shtet në grupmoshat e reja. Megjithatë, 17-vjeçari zgjodhi Kosovën.
Talenti kosovar kishte shkruar histori edhe më herët me Bayern Munichun. Në mars, ai debutoi në Bundesliga në ndeshjen ndaj Union Berlinit, në moshën 16-vjeçare, duke u bërë njëri prej debutuesve më të rinj në historinë e klubit bavarez.
Në korrik, Bayern Munichu i ofroi Osmanit kontratën e parë afatgjatë, ndërsa aktualisht ai aktivizohet me ekipin U19 dhe skuadrën e dytë të klubit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


