Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, tha se kryeministri Kurti ka bërë denigrim politik fillimisht ndaj LDK-së, pastaj ndaj UÇK-së dhe tash edhe ndaj punëtorëve.
“Denigrimi i subjektit politik ka fillu me denigrimin e individit në grupin e parë ka qenë LDK-ja, prej Ibrahim Rugovës dhe lidershipit tjetër. Në grupin e dytë e ka nda luftarin si kryengritës si çlirimtar, nga udhëheqësi nga ai që ka shkaktu kryengritje. Dhe në grupin e tretë, tash që është, është ndaj punëdhënësit edhe punëtorit”, tha Haziri.
Haziri vuri në dukje se gara politike nuk duhet të jetë se kush bën më keq, por të përqendrohet tek zhvillimi i vendit.
“Ne nuk jemi në garë kush po e do republikën më shumë sot, tri vjetët e fundit, në këtë vend garohet kush po e bën më keq. Nëse thua është zanë ministrja në rezerva të shtetit me miliona euro keqpërdorim, arsyetimi i vetëm është “ata kanë vjedh më shumë”. Çka më shumë, kush më shumë. Gara nuk është kush e ka ndërtu qytetin më mirë, por çdo veprim, reagim e sulm, ai e bën krahasimin me të kallumen”, tha Haziri.
Ai gjithashtu kritikoi qeverisjen për korrupsion dhe keqpërdorime që sipas tij e bëjnë Kosovën të “vjedhur” dhe jo të varfër.
“Zoti Kurti s’ka thënë Kosova është e varfër, ka thënë është e pasur por hajnia po e bën të varfër. Jo Kosova as sot s’është e varfër, por është e vjedhur. Edhe sot është e vjedhur. Mos e ik çka e ke kontatu para pesë vjete. Kosova është e vjedhur prej qeverisë së tij. Korrupsioni në Kosovë lidhet me zyret e pushtetarëve, si të dalsh jashtë kësaj, s’ka kush”, përfundoi ai. /Klankosova.tv


