Ndërsa “Marshi për Liri” tashmë ka nisur në Prishtinë, Nasim Haradinaj ka thënë se mbështetja e qytetarëve do t’u japë forcë të veçantë ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po presin verdiktin përfundimtar në Hagë.
Në një intervistë për Klan Kosova, Haradinaj tha se beson se mesazhi që po përcillet nga Prishtina do t’i ndihmojë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit t’i përballojnë edhe katër ditët e fundit deri te vendimi i gjykatës.
“Uroj që ky të jetë tubimi i fundit i këtij lloji pasi unë jam optimist, dita ditës jam edhe më optimist se ata do të kthehen me verdiktin e pafajësisë, të pafajshëm janë marrë dhe të pafajshëm do të kthehen”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se, ndonëse ish-krerët e UÇK-së e dinë se kanë mbështetjen e popullit, prania e qytetarëve në këtë marshim pritet t’u përcjellë emocione të veçanta.
“Atyre jo që u ka munguar ideja që populli po i përkrah, sepse e dinë, mirëpo sot me siguri që do iu jap emocione të veçanta, besoj që ata do t’i forcojë edhe më tepër që t’i kalojnë edhe këto 4 ditë”, u shpreh ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


