Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza në hapjen e fushatës elektorale të partisë së tij në Ferizaj tha se një qeveri që do të udhëhiqet nga ai, do të jetë qeveri e punës dhe zhvillimit.
“Besoj fort se Kosova meriton më mirë, unë nuk hy në këtë garë për konflikte personale. Hyj në këtë garë sepse besoj që shteti funksionon për qytetarët, unë besoj që politika nuk është teatër, politika është përgjegjësi, lidershipi nuk është zhurmë por rezultat. Prandaj, sot para jush duhet të flas qartë për drejtimin qe do marrë Kosova. Qeveria jonë do jetë qeveri e punës, qeveri e zhvillimit, qeveri e dinjitetit për qytetarët”, tha fillimisht Hamza.
Tutje, Hamza tha se pagat për sektorin publik do të rriten 50%, ashtu si dhe pensionet dhe ndihmat sociale.
“Do t’i ulim çmimet, do ta heqim TVSH-në nga produktet bazë, qytetarët do kenë më shumë para në xhepin e tyre. Do të rrisim pagat dhe pensionet, 50% rritje e pagave për sektorin publik, 50% rritje për pensionet dhe të gjitha ndihmat sociale për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Asnjë ndihmë, asnjë pagesë nga buxheti i Kosovës nuk do jetë më e ultë se 300 euro”, tha Hamza.


