Qindra banorë të Grenlandës janë mbledhur të premten në kryeqytetin Nuuk për të protestuar kundër ambicies së presidentit amerikan Donald Trump për të rritur ndikimin e SHBA-së mbi ishullin.
Protesta u zhvillua jashtë konsullatës së re amerikane, në fund të një jave gjatë së cilës i dërguari special i presidentit amerikan në Grenlandë, Jeff Landry, realizoi vizitën e tij të parë në këtë territor pjesërisht autonom nën Danimarkën.
Organizatori i protestës, Aqqalukkuluk Fontain, deklaroi se autoritetet e Grenlandës tashmë ia kanë bërë të qartë administratës amerikane që ishulli “nuk është në shitje”.
“Qeveria jonë i ka thënë tashmë Donald Trumpit dhe administratës së tij se Grenlanda nuk është në shitje”, tha ai.
Hapja e konsullatës së re amerikane dhe vizita e Landryt vijnë në një periudhë përpjekjesh për uljen e tensioneve diplomatike, pas deklaratave të Trumpit për të marrë kontrollin mbi ishullin për arsye të sigurisë kombëtare.
Gjatë marshimit në qendër të qytetit, protestuesit brohorisnin “Grenlanda është për grenlandaezët”.
“Mesazhi ynë është për popullin amerikan dhe për pjesën tjetër të botës”, tha Fontain për BBC. “Në një botë demokratike, jo do të thotë jo”.
Një tjetër protestuese, Inge Bisgaard, tha se vizita e Landryt u perceptua si mungesë respekti ndaj popullit të Grenlandës.
“Është shumë e rëndësishme të tregojmë se kjo nuk është në rregull”, tha ajo për BBC-në.
Ajo shtoi se shumë qytetarë ndihen të shqetësuar nga deklaratat e vazhdueshme të Trumpit lidhur me Grenlandën.
“Ne kemi frikë nga Shtetet e Bashkuara. Njerëzit sapo po rikuperoheshin nga hera e fundit në janar, kur gjithçka filloi përsëri”, deklaroi Bisgaard, duke iu referuar deklaratave të Trumpit për ta “zotëruar” Grenlandën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


