Wednesday, September 2, 2026
spot_img
HomeLajmeGrabitjet e armatosura në banka, pompa e markete – asnjëri nga tetë...

Grabitjet e armatosura në banka, pompa e markete – asnjëri nga tetë të akuzuarit nuk e pranon fajësinë

Tetë të akuzuarit për një seri grabitjesh të armatosura në banka, pompa derivatesh dhe markete nuk e kanë pranuar fajësinë gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Sinjali nga vendi i ngjarjes.

Para trupit gjykues janë deklaruar Hyzri Avdyli, Bekim Bajrami, Sabri Mziu, Dema Zeneli, Xhemajli Gashi, Dardan Rexhepi, Egzon Sheqiri dhe Bajram Selmani, të cilët janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u vihen në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të pandehurit dyshohet se gjatë vitit 2017 ishin përfshirë në një seri grabitjesh, disa prej të cilave pretendohet se ishin kryer nën kërcënimin e armëve AK-47 dhe armëve të shkurtra.

Dosja përfshin grabitje dhe tentativa për grabitje në filiale bankare, pompa derivatesh dhe markete. Në mesin e rasteve përmenden filialet e NLB Bankës, ProCredit Bankës dhe TEB Bankës, si dhe disa pompa derivatesh në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Drenas.

Sipas Prokurorisë, në filialin e NLB Bankës në Veternik ishin marrë rreth 17 mijë euro, ndërsa në filialin e TEB Bankës pretendohet se ishin grabitur 20 mijë euro. Në një market në Prishtinë dyshohet se ishin marrë edhe 15 mijë euro nga kasaforta.

Në një tjetër rast, gjatë një tentative për grabitje në një pompë derivatesh, pretendohet se ishte përdorur arma dhe ishte plagosur në këmbë një punëtor.

Të akuzuarit ngarkohen, varësisht nga roli që pretendohet se kishin, me grabitje, grabitje në tentativë, mbajtje të paautorizuar të armëve, vjedhje të rëndë, ndihmë në kryerjen e grabitjes dhe dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Për dy të dyshuar të tjerë, Irfan Zeneli dhe Behar Krasniqi, Prokuroria kishte pezulluar hetimet për shkak se ndodheshin në arrati.

Pavarësisht pretendimeve të Prokurorisë, asnjëri nga tetë të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë. Ata konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT