Friday, April 24, 2026
spot_img
HomeLajmeGjykata vulosi vendimin e parë për Banjskën, por 41 serbë me kryeterroristin...

Gjykata vulosi vendimin e parë për Banjskën, por 41 serbë me kryeterroristin Radoiçiq akoma të lirë (VIDEO)

Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë.

Vendimi u shpall sot nga Gjykata Themelore e Prishtinës, njofton Klankosova.tv.

Nga sulmi terrorist i Banjskës mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.

Drejtësia flet për Banjskën: Dy dënime të përjetshme për sulmin terrorist, njëri 30 vjet

Kush janë të akuzuarit e tjerë në rastin Banjska?

Përpos tre të dënuarve nga Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë ditë së sotme, të akuzuar për rastin e Banjskës janë edhe:  Millan Radoiçiq Vlladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Alleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Alleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq dhe Vlladan Illiq.

Çfarë akuzash rëndojnë mbi ta?

Më 11 shtator 2024, në prag të njëvjetorit të sulmit, Prokuroria Speciale zyrtarisht ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, shumica prej tyre në mungesë.

Ata ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë.

Ndërkaq, kreu i vetëshpallur i këtij grupit terrorist të strukturuar, Millan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Ata ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Nga sulmi terrorist i shtatorit të vitit 2023, mbeti i vrarë rreshteri policor 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti e u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Millan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, në mesin e të cilëve edhe kryeterroristin Radoiçiq, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe atyre ndërkombëtare./Klankosova.tv/.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT